Çfarë mund të fshihet pas dështimit për marrjen e imunitetit të deputetit Trajko Veljanovksi? LSDM-ja dyshon në skenar të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, ndërsa kjo e fundit dyshon në tendencë për të njollosur kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi. Akuzat e socialdemokratëve bazohen edhe në sjelljen e BDI-së ndaj arrestimit të Sasho Mijallkovit gjatë procesit të ndryshimeve kushtetuese duke mos i kursyer dyshimet as edhe për skenarin e mundshëm mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, për ikjen e ish kryeministrit Nikolla Gruevski nga shteti, informon Alsat-M.
Për të mos mjaftuar me kaq, LSDM-ja pretendon se shpëtimi i Veljanovskit ka për qëllim shpëtimin e deputeti Ejup Alimi i cili ndiqet për keqpërdorime zgjedhore nga Prokuroria Speciale, ndërsa që në të ardhmen Gjykata mund të kërkoj heqjen e imunitetit edhe për të. Analistët vlerësojnë se pasojat e politikave të mos-ndëshkueshmerisë në këtë rast i faturohen kryesisht BDI-së, duke dyshuar për marrëveshje të fshehta me VMRO-në me qëllim përgatitjen e terrenit për koalicion qeveritar në të ardhmen./Alsat-M