Emërimi i drejtorit të Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është bërë pasi janë shpallur zgjedhjet presidenciale, gjë që bazuar në Kodin Zgjedhor, ndalohet. Sipas Nenit 8-a/pika 1 e Kodit Zgjedhor, pas shpalljes së zgjedhjeve duhet të pushojë çdolloj konkursi përmes të cilit synohet punësimi i personave në institucione publike apo shtetërore.

Ndalohet inicimi i procedurës për punësimin të ri të personave ose procedurës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nëpër institucionet shtetërore dhe publike, ndërsa konkurset e shpallura para shpalljes së datës së zgjedhjeve duhet të pushojnë, përpos në raste te cilat janë urgjente dhe të cilat nuk mund të shtyhen – thuhet në Kodin Zgjedhor, Neni 8-a.

Konkursi publik për drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve u shpall më 7 shkurt dhe përfundoi më 13 shkurt, ndërkohë që data për mbajtjen e zgjedhjeve u shpall një ditë pasi u hap konkursi, pra më 8 shkurt. Në njoftimin e Qeverisë pas mbledhjes ku Ylber Sela u emërua drejtor i Agjencisë, thuhet se konkursi është hapur dhe ka përfunduar para shpalljes së presidencialeve.

Emërimi është bërë në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa konkursi për përzgjedhjen e drejtorit të Agjencisë ka filluar dhe ka përfunduar para shpalljes së zgjedhjeve presidenciale – thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Të kontaktuar nga Alsat, nga Qeveria thonë se pjesa ku thuhet se konkursi është shpallur dhe ka përfunduar para zgjedhjeve është gabim teknik, duke pranuar në këtë mënyrë se konkursi ka përfunduar pas shpalljes së zgjedhjeve. Emërimin e Selës, në kohën kur për shkak të zgjedhjeve pushojnë punësimet dhe shkarkimet, nga Qeveria e arsyetojnë me urgjencën për themelimin e Agjencisë në afatet e parapara në Ligjin për përdorimin e Gjuhëve. Pra, sipas Qeverisë duke qenë se institucionet kanë afat 6 muaj që të fillojnë të zbatojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, themelimi i Agjencisë dhe përzgjedhja e drejtorit bën pjesë tek situatat urgjente. Alsat kontaktoi edhe Komisionin Anti-korrupsion, por nga ky institucion thanë se nuk bëjnë interpretime të Ligjeve, por vetëm ndjekim lëndët. Kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsioni, Biljana Ivanovska tha se për këtë situatë duhet të përgjigjet Qeveria. Ylber Sela i diplomuar në shkencat politike u përzgjodh nga 19 kandidatë të paraqitur në konkursin publik të shpallur nga Qeveria, që në 4 vitet e ardhshme të jetë drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Sela ka qenë këshilltar i Talat Xhaferit, në kohën kur ai ishte Ministër i Mbrojtjes./Alsat-M