“Një person ka humbur jetën ndërsa një tjetër është lënduar rëndë. Incidenti ka ndodhur mbrëmë në hyrje të fshatit Shishovë të Komunës së Sarajit, ku personi me iniciale E.SH ka hapur zjarr me pistoletë ndaj dy personave të tjerë, personit me iniciale A.A i cili më vonë ndërroi jetë në spital dhe personit me iniciale A.G i cili gjithashtu mori plagë nga arma e zjarrit. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se po punojnë në zbardhjen e plotë të rastit”.

Raporti i parë i uniformave blu thotë se vetura e tipit Mercedes e drejtuar nga i dyshuari E.SH. është ndalur në mes të rrugës ndërsa pas saj edhe vetura e tipit BMW ku gjendej viktima A.A 20 vjeçar dhe i lënduari A.G 36 vjeçar. Pas një zënke të shkurtër verbale, situata ka eskaluar dhe E.SH ka shtënë me pistoletë ndaj tanimë viktimës dhe të plagosurit.

E.Sh. dhe G.A. kanë dalë nga vetura dhe kanë filluar konflikt verbal, pas çka E.Sh. me pistoletë ka gjuajtur në drejti të G.A. dhe më pas edhe ndaj A.A. Personi me iniciale S.T. i ka dërguar në spital personat A.A. dhe G.A. por A.A. iu është nënshtruar plagëve dhe ka ndërruar jetë. MPB-ja ka ndërmarr të gjitha masat për zbardhjen e rastit – njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk tregojnë nëse është arrestuar personi i dyshuar për vrasje apo është në arrati. Sipas informatave jozyrtare, personat e përfshirë në përleshje janë të njohur për policinë pasi edhe më parë kanë pasur mosëmarrëveshje. Alsat jozyrtarisht mëson se arsyeja e zënkës mes dy personave ka qenë një borxh i vjetër. Kjo është vrasja e dytë e regjistruar në 48 orët e fundit, pas incidentit në Strugë ku gjithashtu humbi jetën një 23 vjeçar ndërsa mbet i plagosur edhe babai i tij 46 vjeçar.