Ish portieri i Spanjës dhe Realit të Madridit, që aktualisht mbron portën e skuadrës portugeze të Portos, Iker Casillas alarmoi botën e futbollit, teksa pësoi një atak kardiak gjatë seancës stërvitore.

Mjekët e klubit portugez ndërhynë menjëherë dhe transportuan gardianin në spital, stabiliteti i të cilit u kthye vetëm pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

“Gjithçka nën kontroll këtu. Një frikë e madhe, por e përballuar me forcë. Ju falënderoj shumë për mesazhet dhe dashurinë e treguar”, shkroi portieri spanjoll në rrjetet sociale.

Edhe klubi i Portos, nëpërmjet një deklarate sqaroi dinamikën e ngjarjes dhe konfirmoi se gjendja e portierit është normalizuar tashmë, ndonëse nuk flitet ende nëse Casillas do të rikthehet sërish në fushat e lojës.

Lajmi për atakun kardiak ndaj tij, bëri xhiron e botës, ndërsa të shumtë ishin njerëz nga bota e futbollit, klube të ndryshme, por edhe tifozë të shumtë, iu bashkuan lutjeve për shërim të shpejtë të Iker Casillas.