Për arsye shëndetësore jep dorëheqje ministri i Kulturës Asaf Ademi. Ai shpjegoi se vendimi për dorëheqjen e tij është marrë që më 22 prill. Ademi tha se punën e tij që e ka bërë në Ministrinë e Kulturës e ka kryer me dinjitet dhe me ndershmëri. Për fund Ademi falenderoi të gjithë bashkëpunëtoret në rrugëtimin e tij dhe shtoi se i njëjti do të mbetet me partinë Alternativa. Gjithashtu shtoi se dorëheqja e tij nuk ka të bëjë me “fshesën” që ka paralajmëruar kryeministri Zoran Zaev.

“Pas shpjegimeve dhe arsyetimeve të mija që kanë të bëjnë me arsye shëndetësore, kryesia qendrore e pranoi kërkesën time, por që të mos ndikojmë në procesin zgjedhorë të zgjedhjeve presidenciale vendosëm që publikimin e saj  ta bëjmë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Unë para 2 ose 3 javëve  vendosa një fshesë në profilin tim privat në facebook. Unë plotësisht e përkrahi kryeministrin në “fshesën” që e paralajmëroi”, u shpreh Asaf Ademi, Ministër i Kulturës.

Ademi dorëheqjen e tij zyrtare e ka dorëzuar deri tek kryeministri Zoran Zaev, duke e falënderuar për bashkëpunimin korrekt. Asaf Ademi do të ushtrojë detyrën e ministrit deri në emërimin e ministrit të ri. Ai tha se sipas bisedimeve mes Zaev dhe Gashit, ky dikaster, pra Ministria e Kulturës do të vazhdojë t’i mbetet Alternativës dhe Alternativa do të mbetet në pushtet.

Ndërsa kryeministri Zaev falënderoi Ademin për angazhimin e tij dhe tha se mendon për emër të ri të Ministrisë së Kulturës por se ende është herët për të dhënë një emër.

“Kjo varet nga kuadri, askush nuk është i shpërndarë për detyrë të caktuar ose për resor të caktuar ose diçka e tillë. Kjo varet nga kuadrot që do të jenë në dispozicion, para se gjithash nga ne si partia me e madhe në koalicion por edhe nga partitë tjera të cilat edhe në të ardhmen do të funksionojnë në koalicionin qeverisës dhe shumicën qeveritare”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Asaf Ademi në konferencën për media tha se në ditët në vijim Zaev dhe Gashi do të zhvillojnë takim për të parë se si do të jetë fati me Ministrinë e Kulturës dhe kush do të qëndrojë në krye të kësaj ministrie.

Përgatiti: Valmira Zendeli