Lëvizja BESA dënon ashpër gjuhën e urrejtjes që u përdor mbrëmë dhe sonte nga tifozët “Komiti”. Po ashtu reagojmë ashpër edhe ndaj heshtjes së institucioneve kompetente dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme që prej mbrëmë nuk ka ndërmarrë asnjë masë që ajo të ndalet, madje lejoi që shqiptarët të fyhen edhe sonte.
Me këtë gjest, ka dështuar koncepti “Një shoqëri për të gjithë” i pushtetit aktual. Gjatë natës së kaluar dhe sonte, shqiptarët nuk mund të bëjnë dallimin nëse ndodhen në qeverisjen e pushtetit të kaluar me Gruevskin, ose në qeverisjen e pushtetit të Zaevit, për të cilin shqiptarët ishin ata që derdhën gjak.
Akoma më keq është që pikërisht sonte, ngjarja ku përdoret gjuha e urrejtjes dhe ajo anti-shqiptare me vetëdije të plotë financohet nga Qyteti i Shkupit dhe kryetari i saj Petre Shilegov me miliona denarë.
Na shqetëson edhe fakti që partitë shqiptare në pushtet qëndrojnë të heshtura sikur nuk kanë veshë dhe sy.
Nëqoftesë pushteti brenda 48 orëve, nuk merr masa dhe nuk ndëshkon ata që përçajnë qytetarët dhe cënojnë ardhmërinë evropiane të vendit, atëherë për ne si Lëvizje BESA kjo do të thotë se vetë pushteti po sponsorizon urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe ndarjen e qytetarëve.
Kush hesht kundër gjuhës së urrejtjes, do të thotë se pajtohet me të dhe u bashkëngjitet autorëve!

Me respekt ,
Fadil Zendeli