Kanadaja është shteti anëtar i 18-të i NATO-s e cila e ratifikon Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Aleancë. Siç ka njoftuar në Tuiter MPJ-ja kanadeze, ata shprehin kënaqësi që së shpejti do t’i thonë mirëseardhje vendit si anëtare e 30-të.

“Kanadaja me kënaqësi e ratifikon aderimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Derisa festojmë 70 vjet NATO me padurim presim t’u përshëndesim si anëtare e 30-të e Aleancës në të ardhme të afërt”, bën të ditur MPJ e Kanadasë.

Ndërkohë, në vijim është procedura e ratifikimit edhe në Senatin e SHBA-së. Pritet ratifikimi i Protokollit në Uashington të ndodhë deri në fund të verës.

Para dhjetë ditësh Protokollin për NATO-n e kanë ratifikuar Gjermania dhe Estonia.

Me ratifikimin e Protokollit nga 29 vendet e Aleancës, Maqedonia e Veriut pritet edhe zyrtarisht në Samitin e Londrës kur do të shënohet 70 vjetori, të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s.