Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov duke komentuar negociatat me BE-në për Maqedoninë e Veriut, ka njoftuar se Maqedonia ka ende shumë çështje për të zgjidhur e më pas të fitojë datë për negociata. Kryeministri Zoran Zaev i përgjigjet homologut të tij nëpërmjet rrjetit social Facebook ku shkruan se me Bullgarinë është nënshkruar marrëveshje për miqësi dhe bashkëpunim, e jo për probleme dhe zënka publike.

Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov mbrëmë në Bruksel ka deklaruar se maqedonsit ende duhet që të piqen që të fitojnë datë për bisedimet për hyrje në BE, njoftoi agjencia e lajmeve bullgare “BGNES”.

“Ata duhet ende shumë punë të rregullojnë. Mos më keqkuptoni, por derisa ende është kontestuese nëse Goce Dellçev është bullgar ose maqedonas – kjo temë e imët për disa heronj që në fakt kanë qenë për Bullgarinë dhe Maqedoninë, për vendlindjen, dhe këngët tona më të bukura janë të lidhura me to. Dhe vazhdimisht opozita më pyet se çfarë bën Komisioni. Le të piqen”, porositi Borisov.

Ai më pas e sqaroi qëndrimin e tij për ”armiqësi” nga vendi dhe pritjet e tij për kompromis.

“Nuk mundem atë ta lejoj – Bullgaria ka bërë gjithçka dhe ata u ngjitën në qiell. Tani ata duhet të bëjnë kompromis në Komision dhe në retorikën anti-bullgare”, tha Borisov, duke menduar në komisionin e përbashkët maqedonas-bullgar për çështjet historike dhe librat.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, i është përgjigjur homologut të tij bullgar Boyko Borissov. Zaev në Facebook shkruan se me Bullgarinë është nënshkruar marrëveshje për miqësi dhe bashkëpunim, e jo për probleme dhe zënka publike. Zaev thotë se që të ketë sukses, duhet të dy shtetet të ecin së bashku dhe miqësia të jetë e dyanshme.

“Ramë dakord se momentet e përbashkëta nga e kaluara duhet të na bashkojnë, e jo të na ndajnë”. Bashkëpunimi kërkon kohë, përpjekje, durim, respekt për tjetrin dhe angazhim më të madh. Por mbi të gjitha na duhet ide e përbashkët që të ecim përpara. Ne e dimë se kjo ide është e gjallë dhe kemi treguar se për çështjet më delikate mund të gjendet e përbashkët, nëse dëshirohet. Për të pasur sukses duhet të piqemi së bashku, miqësia duhet të jetë e dyanshme”, shkruan Zaev. /Klan Maqedoni/