Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në kuadër të Samitit për Ballkanin Perëndimor, që po zhvillohet në Poznan të Polonisë takoi kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May.

Kryeministrja Theresa May, nga e cila kryeministri i Polonisë, Mateus Moravjeçki e mori udhëheqjen e Procesit të Berlinit dhe organizimin e Samitit për Ballkanin Perëndimor gjatë takimi ka përgëzuar kryeministrin Zaev për kooperimin e këtij procesi së bashku me Bullgarinë në 12 muajt e ardhshëm.

Kryeministri Zaev dhe kryeministrja May gjatë takimit shprehën kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa theksuan se shpresojnë që kjo miqësi në të ardhmen do të thellohet, veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik.

Kryeministri Zaev u informua se Parlamenti britanik është në fazën përfundimtare të procedurave për ratifikimin e Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në NATO./Alsat