Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini duke përkujtuar përvjetorin e tretë të tentativës për grusht shteti në Turqi tha se “Solidariteti ynë me popullin turk është i padiskutueshëm”, raporton Anadolu Agency (AA).

Mohgerini, këto komente i bëri para mbledhjes së Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë që do të mbahet në Bruksel me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.

Ajo tërhoqi vëmendjen se para pak kohësh ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu në lidhje me aktivitetet e Turqisë në Mesdheun Lindor.

“Në fjalimin tim fillova duke u shprehur se jemi në solidaritet me popullin turk. Sot është përvjetori i tretë i tentativës për grusht shteti dhe të gjithë ne e kujtojmë atë ditë dhe atë natë. Solidariteti ynë me popullin turk është i padiskutueshëm”, u shpreh ajo.

“Sot vendet anëtare do të diskutojnë se si do të ndiqet vendimi i liderëve të BE-së të marrë në muajin qershor në lidhje me aktivitetet e shpimit”, tha Mogherini në lidhje me aktivitetet e Turqisë në Mesdheun Lindor.

Ajo potencoi se në takim do të trajtohen edhe marrëveshja bërthamore me Iranin, migrimi, Afrika dhe Libia.