Kryeministri Zoran Zaev, e ka konfirmuar se nuk do të ketë takim liderësh. Për hapat e mëtutjeshme, Zaev do të mbajë konferencë për shtyp në orën 14:00, njofton Portalb.mk.

“Ju informojnë se për arsyet e anulimit të takimit të liderëve, por edhe për hapat që na presin dhe do t’i ndërmarrim për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut, sot do të mbahet konferencë për shtyp, në të cilën do të drejtohet kryeministri Zoran Zaev”, tha Zaev.

Liderët është dashur që sot të diskutojnë për Prokurorinë Publike, regjistrimin, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe vetingun për funksionarët.

Ftesën për takim e kanë pranuar kryetarët e BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët, Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela, por jo edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për çka dghe u anulua takimi. Dje nga VMRO-DPMNE e përsëritën qëndrimin se nëse fare do të mbahej takim liderësh në të cilën do të merrte pjesë Mickoski, atëherë do të diskutohej vetëm për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nga LSDM thonë se Mickoski ik prej takimit të liderëve, nga reformat dhe nga opinioni. Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupço Nikollovski dje pas mbarimit të Bordit Qendror të partisë, për atë se si do të veprojnë nëse Mickoski nuk vjen në takim liderësh dhe si do të sigurojnë shumicë prej dy të tretave për ligjin për Prokurori Publike, porositi që të pritet dita e sotme dhe të shihet përfundimi.