Pasi nuk pranoi të marrë pjesë në takimin e liderëve të ftuar nga Kryeministri Zoran Zaev, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot u takua me kreun e opozitares shqiptare BESA, Bilall Kasami. Pas takimit as Mickoski e as Kasami nuk dhanë deklarata por në një kumtesë të lëshuar nga Lëvizja Besa njoftojnë se në takim është bisedur për ngjarjet aktuale politike në vend, si dhe për situatën e përgjithshme sociale-ekonomike në shtet. Nga atje shtojnë se dy subjektet politike u dakorduan që Qeveria aktuale nuk ka kapacitet ta udhëheq procesin e rëndësishëm të euro integrimeve, për atë shkak më se e nevojshme është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme. Nga Lëvizja Besa njoftojnë se takime të këtij lloji në mes dy liderëve do të ketë edhe në të ardhmen.