Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka shpallur fitoren e këtij subjekti partiak për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, ndërsa dhe e quajti veten Kryeministër të Kosoëvs.

Ai para masës në kremtimin e fitores së këtyre zgjedhjeve siç aludon Vetëvendosje, tha se me qeverisjen e tij në këtë mandat nuk do të ketë në institucione zyrtarë që kanë probleme me ligjin, njofton Klan Ksoova.

”Me qeverisjen tonë nuk ka më hajna në Qeveri. Nuk ka më hajna në institucione. Në shtetin e së drejtës nuk ka më hajna por do të hetohen. Jeta e kriminelëve do të jetë e vështirë deri në humbje të lirisë. Ne kemi humbur shumë kohë në këto 20 vjet. Sa mundësitë kanë qenë të shpërdoruara, por tash erdhi dita për ju qytetarë të Kosovës, për ju popull i dashur pa dallim fshati qyteti, pa dallim gruaje apo burri, pa dallim shkollimi- të gjithë do të jeni të barabartë para ligjit”.

”Nuk do të ketë njerëz që do të pasurohen brenda natës apo javës. Ne premtimet tona do t’i përmbushim, sepse ne do t’ju shërbejmë juve. Dua t’i falënderojë aktivistë të Vetëvendosjes të cilët ju nuk i njihni me emra. Janë këta aktivistë që nuk e di a arrijnë të ushqehen tri herë në ditë por që punojnë shumë dhe për punën e tyre e shihni rezultatin e shkëlqyeshëm. Kemi pasur shumë pengesa, e sfida, kemi pasur shumë vështirësi e të këqija, por ato na kanë kalitur, tani jemi më të fortë se kurrë dhe për të gjitha vështirësitë që mund të na presin në të ardhmen”.

Kurti me këtë rast është shfaqur mirënjohës edhe ndaj kritikuesve të partisë që ai udhëheq, duke përmendur derisa në një mënyrë tjetër përmendi kundërkandidaten e tij nga LDK, Vjosa Osmanin duke shfaqur dëshirën për të bashkëpunuar me të, njofton Klan Kosova.

”Dua t’i falënderoj edhe ata që na kanë kritikuar, sepse edhe ata na kanë ndihmuar – veç na kanë forcuar sepse Vetëvendosjen nuk ka kush e zmbraps”.

”Ata që na kanë kritikuar, bile-bile edhe ata që na kanë sulmuar e akuzuar veç na kanë kalitur për këtë fitore të madhe që po e gëzojmë sot dhe po e kremtojmë bashkë sonte”.

”Edhe kundërshtarët e mi i falënderoj për gjithë konstruktivitetin, në veçanti e falënderoj Vjosa Osmanin që me fushatën e saj ka inspiruar shumë gra vajza për angazhim në politikë e shoqëri, prandaj dua që me Vjosën të bashkëpunoj në të ardhmen. Siç e kemi thënë më herët ne konsiderojmë që ndryshimi i vërtetë demokratik është kur Opozita bëhet Qeveri”.

”Opozita ka fituar bindshëm dhe këtij ndryshimi opozitar i prin Lëvizja Vetëvendosje, dhe unë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës”.

”Si Kryeministër i Kosovës do të bashkëpunoj ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, me ata që na ndihmuan në njohje dhe bashkëpunim ndërhera, por edhe me shtetet tjera që na kanë mbështetur e janë gjendur si në kohë lufte e në kohë paqe. Do jem partnerë me partnerët e aleatë me aleatët, sepse shteti jonë ka nevojë për përkrahje e ka nevojë për ndihmë”.